Karvani Shëndetësor “PërSHËNDETje” – kontrolle dhe këshilla shëndetësore falas për qytetarët

Në kuadër të projektit AQH, me financim të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe të implementuar nga KOPF, gjatë ditës së sotme në sheshin “Adem Jashari” është organizuar Karvani Shëndetësor “PërSHËNDETje”, një aktivitet që synon promovimin e shëndetit dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve kronike.

Në fokus të aktivitetit ishin sëmundjet jo-ngjitëse, veçanërisht hipertensioni dhe diabeti, si dhe informimi i qytetarëve për faktorët kryesorë të rrezikut dhe mënyrat se si mund të parandalohen apo të mbahen nën kontroll këto sëmundje.

Qytetarët patën mundësi të marrin informacione dhe këshilla profesionale lidhur me rëndësinë e aktivitetit fizik, ushqyerjes së shëndetshme, kontrollit të peshës trupore, si dhe ndikimin negativ që kanë duhani dhe alkooli në shëndetin e përgjithshëm. .

QKMF me shërbime profesionale në terren

Në dy tendat e vendosura në shesh, ekipi profesional i QKMF-së, i përbërë nga mjeku dhe infermierët, ofroi shërbime shëndetësore dhe këshillim profesional për qytetarët.

Pavarësisht temperaturave të larta gjatë ditës, interesimi ishte i kënaqshëm. Gjithsej 73 qytetarë, të moshës nga 40 deri në 88 vjeç, përfituan nga shërbimet e ofruara në kuadër të Karvanit Shëndetësor.

Nga kontrollet e realizuara u evidentua se rreth 20% e qytetarëve të kontrolluar kishin hipertension, ndërsa në një përqindje më të ulët u evidentuan raste me hiperglikemi. Te personat me diabet që ishin në terapi, sëmundja në përgjithësi rezultoi e menaxhuar me trajtimin e përshkruar.

Parandalimi fillon me kujdesin ndaj vetes

Karvani Shëndetësor “PërSHËNDETje” përcolli një mesazh të rëndësishëm për të gjithë qytetarët: kontrollet e rregullta shëndetësore dhe një mënyrë e shëndetshme jetese janë ndër hapat më të rëndësishëm në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve kronike.

Ndryshimet pozitive në stilin e jetës, të kombinuara me përdorimin e rregullt të terapisë së përshkruar nga mjeku, përbëjnë bazën për kontrollin e hipertensionit, parandalimin e komplikimeve të tij, menaxhimin e diabetit dhe ruajtjen e shëndetit në përgjithësi.

Në përfundim të aktivitetit, pas marrjes së shërbimeve dhe këshillave shëndetësore, qytetarëve pjesëmarrës iu shpërndanë fruta dhe pije falas, duke e përmbyllur aktivitetin edhe me një mesazh praktik për rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme.

Aktivitete të tilla e afrojnë shërbimin shëndetësor më pranë qytetarit dhe kontribuojnë në krijimin e një kulture të parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin.


Discover more from QKMF Ferizaj

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading