QKMF Ferizaj drejt bashkëpunimit në kuadër të programit THTP – fokus në avancimin e kujdesit ndaj të mbijetuarave të dhunës

Me qëllim të përmirësimit të shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor të ndjeshëm ndaj stresit dhe traumës për gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës seksuale, gjatë ditës së sotme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj është mbajtur një takim informues lidhur me mundësitë e implementimit të Programit Transnacional të Trajnimeve Shëndetësore – THTP.

Takimi u zhvillua në zyrën e Drejtoreshës së QKMF-së, dr. Nadire Ymeri, me menaxheren e projektit THTP në Kosovë, znj. Negihan Xërxa, ku u diskutuan objektivat e programit, fazat e implementimit dhe mundësitë e përfshirjes së profesionistëve shëndetësorë të QKMF-së në këtë proces.

Programi transnacional i trajnimeve shëndetësore THTP zbatohet në bashkëpunim me organizata lokale partnere të organizatës gjermane, ndërsa në Kosovë projekti implementohet nga Medica Gjakova.

QKMF-së në Ferizaj i ofrohet mundësia për përfshirje në projekt

Gjatë takimit u bë e ditur se QKMF-së në Ferizaj i është ofruar mundësia për implementimin e fazës së parë të projektit, e cila parasheh trajnimin e profesionistëve shëndetësorë në programin ToT – Training of Trainers (Trajnimi i Trajnerëve).

Ky bashkëpunim pritet të formalizohet përmes një Marrëveshjeje Bashkëpunimi, e cila është planifikuar të nënshkruhet gjatë muajit shtator.

Pas përfundimit të fazës së parë, programi parashikon vazhdimin me fazën e dytë dhe të tretë të trajnimeve për stafin, duke krijuar kapacitete profesionale brenda vetë institucionit. Në këtë mënyrë synohet që njohuritë dhe praktikat e fituara të përcillen te profesionistët e tjerë shëndetësorë dhe të sigurohet qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e aktiviteteve trajnuese në nivel lokal.

Dr. Nadire Ymeri: Program që fuqizon kapacitetet profesionale

Drejtoresha e QKMF-së, dr. Nadire Ymeri, shprehu mirënjohjen për mundësinë e përfshirjes së QKMF-së në një program të tillë, duke vlerësuar rëndësinë që ai ka në fuqizimin e kapaciteteve të profesionistëve shëndetësorë.

Ajo theksoi se programe të kësaj natyre kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve shëndetësore publike dhe të organizatave të shoqërisë civile, duke mundësuar një qasje më profesionale dhe më të ndjeshme ndaj personave që kanë përjetuar dhunë dhe trauma.

Përfshirja në programin THTP paraqet një mundësi të rëndësishme për QKMF-në në Ferizaj që të avancojë më tej kapacitetet e stafit dhe të fuqizojë qasjen profesionale ndaj stresit dhe traumës, veçanërisht në ofrimin e kujdesit për gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës seksuale.

Përmes bashkëpunimeve të tilla, QKMF Ferizaj synon të vazhdojë ngritjen e cilësisë së shërbimeve, zhvillimin profesional të stafit dhe ofrimin e një kujdesi shëndetësor të sigurt, dinjitoz dhe të orientuar drejt nevojave të qytetarëve.


Discover more from QKMF Ferizaj

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading