Java Botërore e Ushqyerjes me Qumësht Gjiri 2026 – QKMF promovon dhe mbështet gjidhënien

Me moton “Të mbështesim gjidhënien”, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) ka shënuar Javën Botërore të Ushqyerjes me Qumësht Gjiri 2026, përmes aktiviteteve informuese dhe ndërgjegjësuese që synojnë promovimin e gjidhënies dhe mbështetjen e nënave.

Në kuadër të kësaj jave, në QKMF u organizua një tryezë informuese me një grup nënash që ushqejnë foshnjat e tyre me gji, ku profesionistët shëndetësorë bashkëbiseduan me nënat për rëndësinë e gjidhënies, përfitimet e saj dhe sfidat me të cilat ato mund të përballen gjatë këtij procesi.

Qumështi i gjirit – ushqimi më i përshtatshëm për foshnjën

Gjatë takimit u theksua se qumështi i gjirit siguron lëndët ushqyese të nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të foshnjës dhe njëkohësisht kontribuon në forcimin e sistemit të saj imunitar.

U diskutua gjithashtu për rolin e gjidhënies në zvogëlimin e rrezikut nga një sërë infeksionesh dhe probleme të tjera shëndetësore, si dhe për rëndësinë që kontakti i afërt gjatë ushqyerjes ka në krijimin dhe forcimin e lidhjes emocionale ndërmjet nënës dhe foshnjës.

Gjidhënia sjell përfitime të rëndësishme edhe për shëndetin e nënës. Ajo ndihmon në rikuperimin pas lindjes dhe shoqërohet me zvogëlim të rrezikut për disa sëmundje, përfshirë kancerin e gjirit dhe të vezoreve, ndërsa mund të ndikojë pozitivisht edhe në mirëqenien fizike dhe emocionale të nënës.

Informim dhe mbështetje për nënat në të gjitha QMF-të

Përmes kësaj tryeze, QKMF synon të inkurajojë dhe mbështesë nënat në rrugëtimin e tyre të gjidhënies, duke krijuar një mjedis ku ato mund të marrin informacione të besueshme, këshilla profesionale dhe mbështetjen e nevojshme nga profesionistët shëndetësorë.

Aktivitetet sensibilizuese nuk janë kufizuar vetëm në QKMF. Në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) janë shpërndarë fletëpalosje informuese, ndërsa profesionistët shëndetësorë kanë ofruar këshilla për nënat lidhur me ushqyerjen me qumësht gjiri dhe rëndësinë e vazhdimit të gjidhënies.

Po ashtu, në ekranet informative të vendosura në QKMF dhe në QMF-të e qytetit, gjatë gjithë javës do të transmetohet video-mesazhi i Ministrisë së Shëndetësisë për promovimin e ushqyerjes me qumësht gjiri, duke e përcjellë mesazhin sensibilizues te një numër sa më i madh i qytetarëve.

Mbështetja e gjidhënies është përgjegjësi e përbashkët. Duke mbështetur nënën, mbështesim një fillim më të shëndetshëm për fëmijën dhe kontribuojmë në shëndetin e brezave të ardhshëm.


Discover more from QKMF Ferizaj

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading